Pica, ky specialitet kaq i përhapur dhe i dashur si në Zvicër ashtu dhe në Gjermani, është bërë mollë sherri në mes të dy shteteve. Së paku në qytetet zvicerane që kufizohen me Gjermaninë, adhuruesit e picës nuk do të kenë mundësi të shijojnë më ushqimin e tyre të preferuar që vjen i ngrohtë dhe pothuaj përgjysmë më lirë, nga ana tjetër e kufirit!
Me nje vendim që ka marrë Dogana e Zvicrës, liferuesit gjermanë të picave të porositura nga Zvicra duhet të ndalojnë në kufi dhe të deklarojnë mallin e destinuar për Zvicër! Dhe jo vetëm picat: një procedure të tillë që vështirëson qarkullimin dhe e bën më të shtrenjtëatë, duhet t`i nënshtrohen edhe ata që nga Gjermania shesin në Zvicër döner-kebap, thai-food etj.
Siç raporton televizioni gjermsan srw, në një shkresë të ardhur nga dogana e Zvicrës shkruan se këta artikuj ushqimorë konsiderohen mall i destinuar për tregti dhe në këtë kuptim, duhet të deklarohen në doganë. Se deri më tash nuk është vepruar kështu, ka qenë më shumë shenjë tolerance nga ana e Zvicrës. Por kjo i vinte në pozitë të vështirë furnizuesit me ushqime të njëjta në pjesën zvicerane, duke i bërë ata të paaftë për të konkurruar.
Nga ana tjetër, tash e tutje do të jenë shitësit dhe liferuesit gjermanë të picave që duhet të frikësohen per bizneset e tyre. Rreth 60 për qind të porosive për pica në pikun e shitjes së tyre, në darkë dhe vikendeve, vijnë nga ana tjetër e kufirit. Dhe nuk është për t`u habitur, kur një picë margherita në Gjermani kushton rreth 9 franga ndërsa në Zvicër rreth 15.
Dhoma e Industrisë dhe Tregtisë e regjionit Hochrhein-Bodensee ka shprehur pakënaqësinë e saj me këtë ndryshim rregullash. Ajo paralajmëron bisedime me doganat zvicerane lidhur me këtë çështje.
Ndërkaq, piceritë dhe restorantet tjera të ushqimit të shpejtë me porosi këndej kufirit i fërkojnë duart dhe përshëndesin vendimin e doganës. Ky mund të jetë shpëtimi i tyre nga falimentimi!