Në manifestimin tradicional që SVP/UDC mban në Albisguetli, kësaj radhe ka marrë pjesë edhe Didier Burkhalter, në cilësinë e presidentit të vendit. Me këtë rast i pari i vendit e ka mbrojtur politikën e qeverisë që drejton sa i përket marrëdhënieve të Zvicrës me BE-në.
Burkhalter i ka siguruar të pranishmit, anëtarë dhe simpatizantë të SVP-së se qeveria nuk kultivon kurrfarë planesh të fshehta për të futur Zvicrën në BE, siç spekulohet në qarqet konservative. Por ai ka qenë i qarte edhe kundër vijës izolacioniste në raport me BE-në që e kërkon SVP/UDC. Rruga e mesme dhe më e qëlluar, e cila dhe po ndiqet nga Zvicra është, sipas tij, ajo e marrëveshjeve bilaterale.
Marrëveshjet ekzistuese bilaterale nuk bën të ndërpriten por të ripërtëriten.
“Jepini kohë Këshillit Federal që të bëjë negocimin dhe vlerësojeni pastaj atë me rezultatet e tij”, ka apeluar Burkhalter para te pranishmëve, shkruan sfr.ch.
Në vigjilje të këtij takimi, në mediet zvicerane kanë publikuar deklarimin e ideologut të SVP/UDC-së, Christoph Blocher sipas të cilit marrëveshjet që po i bën Zvicra me BE-në e dërgojnë Zvicrën symbyllur drejt BE-së. Për këtë arsye, ka thënë Blocher, një referendum kundër marrëveshjeve në fjalë është i domosdoshëm.