Skip to content

Edhe një shqiptar vritet në Siri

Siç raportojnë mediet boshnjake, i vrari quhet Ebu Amar, ndërsa është vrarë në luftimet rreth qyteti Alepo, aty ku janë të koncentruar kryesisht vullnetarët shqiptarë

Edhe një shqiptar është vrarë në Siri, në luftimet e brendshme ndërmjet kryengritësve dhe force qeveritare të presidentit Bashar Al Asad. Siç raportojnë mediet boshnjake, i vrari quhet Ebu Amar, ndërsa është vrarë në luftimet rreth qyteti Alepo, aty ku janë të koncentruar kryesisht vullnetarët shqiptarë.

Agjencia boshnjake e lajmeve “Vijesti Ummeta” nuk e përmend se cilit shtet i takon i vrari, Shqipërisë, Maqedonisë apo Kosovës, por thotë se ai është shqiptar. Po ashtu nuk dihet nëse ky është emri i vërtetë i tij, apo është ai i luftës.

Në muajin gusht është njoftuar se dhjetëra shqiptarë janë bashkuar me kryengritësit në Siri, ndërsa disa prej tyre kanë humbur jetën në luftimet kundër regjimit të presidentit Bashar al-Assad.

Shumë nga familjet shqiptare nuk janë në dijeni për pjesëmarrjen e të afërmeve të tyre në luftën qytetare në Siri. “Koha” duke iu referuar medieve ndërkombëtare, përmend disa familje që kanë marrë kumtin për vrasjen e familjarëve në Siri.

“Migena Maliqaj, një shqiptare, nuk ka dëgjuar gjë nga i shoqi, Halili, që prej nëntorit, kur ai i tha se do largohej nga shtëpia, në Prush të Tiranës, për të gjetur punë në Turqi. Në qershor ajo mori një mesazh nga një numër i panjohur, ku i thuhej se Halili ishte vrarë në Siri”, shkruan AFP.

Maliqaj nuk pranoi të fliste për AFP-në.

Edhe Ermal Xhelo është një tjetër shqiptar që është vrarë në Siri. “Nëna e Ermal Xhelos dëgjoi për angazhimin e djalit të saj në Siri vetëm kur trupi i 35 vjeçarit mbërriti në qytetin e lindjes, në Vlorë. Edhe ai kishte thënë se do shkonte të punonte në Turqi “, shkruan AFP.

Sipas saj, jo vetëm në Shqipëri, edhe në Kosovë po vërshojnë luftëtarët e xhihadit drejt Sirisë.

“Nëse Rusia, Irani dhe Hezbollahu nuk hezitojnë të mbrojnë presidentin Assad dhe regjimin e tij, që vret njerëz, madje edhe fëmijë, pse duhet të hezitojmë ne që të ndihmojmë sirianët,” thotë për AFP një 40 vjeçar nga Podujeva, që po bëhet gati për të udhëtuar për në Siri.

Ndryshe, vetëm para disa muajve është raportuar për 800 vullnetarë shqiptarë, që i janë bashkuar Ushtrisë së Lirë Siriane. Në luftime të drejtpërdrejta janë varë rreth 20 shqiptarë. Dërgimi në vatrat e luftës, siç raporton agjencia Farsnews, bëhet pas trajtimeve ushtarake në Turqi.

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës e ka quajtur të pa drejt pjesëmarrjen në vatrat e luftës në Siri.

“Mirëpo, shkuarja në Siri për të luftuar gjoja për kauzën islame, jo që nuk ka të bëjë asgjë me parimet fetare, në të cilat thirren organizatat e panjohura për ne dhe popullin tonë, por për me keq i zgjat jetën regjimit të Bashar al-Asadit dhe vuajtjet të popullit sirian”, thuhet në reagimin e mëhershëm të BIK.

Sipas BIK, Kosova nuk ka të rinj për të rekrutuar njerëz të panjohur në emrin e fesë islame. Në Kosovë, Bashkësia Islame e Kosovës, siç thuhet, është institucioni i vetëm që jep “fetfa”dhe udhëzime për besimtarët tanë dhe interpreton e sqaron parimet dhe mësimet fetare.

“Duke u nisur nga kjo, edhe njëherë ftojmë besimtarët tanë, ftojmë prindërit tanë, ftojmë të rinjtë tanë dhe sqarojmë opinionin e gjerë, që mos të bien pre e organizimeve të dyshimta, e njerëzve pa adresë, dhe mos tu bashkohen kauzave që nuk dihet për çka angazhohen”, thuhet në reagimin e BIK.

Ndryshe, luftëtarët nga Evropa përbëjnë nga 7 deri në 11 për qind të kontingjentit të huaj në Siri, të cilët luftojnë kundër regjimit të presidentit Bashar Al Assad. Vullnetarët nga Evropa, siç ka raportuar më parë “Farsnews”, nuk janë vetëm shqiptarë e boshnjakë, por ka edhe francezë, anglezë, holandezë e popuj tjetër.