Pensionimi pas vetëm 41.5 vite punë është një privilegj që e gëzojnë vetëm francezët. Por, edhe këtij privilegji do t`i vijë fundi së shpejti. Parlamenti i Francës ka miratuar me shumicë votash reformën e të drejtës së pensionimit, të propozuar nga qeveria socialiste dhe shumë të kritikuar nga sindikatat e vendit.
Bëhet fjalë për reformën më me peshë që ka ndërmarrë presidenti Hollande në mandatin e tij. Pikë qendrore e kësaj reforme është zgjatja e “stazhit” të punës nga 41.5 vjet sa është tash, në 43 vjet. Por lëvizja do të bëhet në mënyrë graduale, ashtu që caku planifikohet të arrihet në vitin 2035.
Ndonëse sindikatat e kanë kundërshtuar këtë reformë, protestat e tyre kanë qenë më të pakta se ato të bëra kundër qeverisë së ish presidentit konservativ Sarkozy, shkruan nzz.ch
Në vitin 2010 kundër qëllimit të Sarkozy-t për zgjatjen e stazhit të punës kishin protestuar miliona francezë të cilët për ditë të tëra kishin bllokuar rafineritë e naftës duke shkaktuar mungesë karburantesh. Në protestat e të rinjve të atij viti kishte pasur edhe të plagosur.