Policia Federale në Trier, Gjermani ka zbuluar dhe parandaluar në dy raste kontrabandistë të cilët kanë provuar të fusin në territorin gjerman të huaj klandestinë. Në mesin e 15 të kontrabanduarve gjashtë janë nga Kosova dhe nëntë nga Siria.
Sirianët janë sjellë në kufirin me Gjermaninë të premten e kaluar. Në mesin e tyre kanë qenë edhe dy familje me pesë fëmijë dhe të rinj. Hetimet kanë treguar se personat e kontrabanduar kanë paguar gjithsej 1000 euro personit që i ka sjellë në Gjermani, shkruan wochenspiegellive.de.
Ndaj përgjegjësit për këtë kontrabandim, një shtetasi sirian 26 vjeçar, është iniciuar një procedurë penale për veprën penale trafikim me qenie njerëzore.
Për rastin e gjashtë kosovarëve është arrestuar një person i moshës 37 vjeçare, ndaj të cilit po ashtu është iniciuar procedurë penale për trafikim qeniesh njerëzore. Në të dyja rastet, personat e trafikuar janë sjellë në qendrat përkatëse ku do të kërkojnë azil.