Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhuruar Forcave të Armatosura të Shqipërisë 37 mjete të mbrojtura dhe rezistente ndaj pritave dhe kurtheve të minuara.
Në ceremoninë e dorëzimit të këtyre mjeteve, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, falënderoi Qeverinë e SHBA-së për ndihmën e vazhdueshme që jep për Shqipërinë dhe e vlerësoi si shumë të rëndësishëm dhurimin e këtyre mjeteve, përcjellë albinfo.ch.
“Mjetet do të mundësojnë zgjerimin e spektrit të detyrave dhe misionit të trupave tanë dhe do të rrisin sigurinë e personelit, sidomos ndaj minave dhe mjeteve shpërthyese të improvizuara”, tha ajo.
E ngarkuara me punë e SHBA-së në Shqipëri, Leyla Moses-Ones, e cilësoi dhurimin e mjeteve të blinduara si ndihmë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për NATO-n, duke vlerësuar rolin e Shqipërisë.