Duke filluar nga shkurti i vitit 2014, pasagjerët që shfrytëzojnë shërbimet e Aeroportit të Cyrihut do të paguajnë taksa më të ulëta për disa shërbime. Kjo ulje çmimesh ka ardhur si rezultat i negociatave disamujore në mes të “Zürich Flughafen AG” dhe kompanive ajrore. Aeroporti planifikonte të rriste çmimin e taksës së pasagjerit ndërsa kompanitë e kundërshtonin këtë.
Në fund, pas dosa përshtatjeve, Drejtoria Federale për Trafikun Ajror (BAZL) ka miratuar një propozim të aeroportit rreth tarifave.
Në mesin e ndryshimeve është pezullimi i përkohshëm i taksës që duhej të paguanin udhëtarët për zhurmën që aeroplanët e shkaktojnë në regjionet afër aeroportit. Fondi në të cilin shkon taksa në fjalë posedon aktualisht mjete të mjaftueshme, ka njoftuar Aeroporti i Cyrihut të premten, shkruan nzz.ch.
Ndër çmimet që do të zbriten është edhe taksa e sigurisë. Por do të rritet ndërkaq taksa e pasagjerit.
Marrë në përgjithësi, nga shkurti 2014 një pasagjer vendor do të paguajë 37 në vend të 41.40 frangave. Ndërsa për pasagjerët që janë transit, çmimi i sotëm 23.90 franga do të bjerë në 19 franga.
BAZL me këtë rast thekson se kërkesat e kompanive ajrore ishin për zbritje më të madhe të çmimeve por përballë këkesave të Aeroportit të Cyrihut për ngritje, është realizuar një kompromis.