Partia e Gjelbër e Zvicrës ka mbajtur të shtunën, më 9 nëntor kuvendin e saj delegues. Me këtë rast, delegatët janë përcaktuar edhe në lidhje me qëndrimin që do të mbajnë për dy referendumet që mbahen më 9 shkurt në nivel të Zvicrës.
Kuvendi është shprehur në mënyrë unanime kundër iniciativës “Abortimi është çështje private”. Kjo iniciativë kërkon që ndërhyrjet për abortimin e fëmijëve të padëshiruar të mos paguhen më nga sigurimi bazë (i detyruar) shëndetësor.
Veç kësaj, të gjelbrit në kuvendin e tyre janë shprehur po ashtu edhe kundër iniciativës së SVP/UDC-së “kundër migrimit masiv”, për të cilën po ashtu do të votohet më 9 shkurt 2014. Kjo iniciativë kërkon që në të ardhmen numri i lejeve të qëndrimit për të huajt të kufizohet, duke futur në fuqi kontingjentet ose “numrat maksimalë”.
Ndërkaq, Partia e Gjelbër e Zvicrës është shprehur në favor të iniciativës për financimin dhe ngritjen e infrastrukturës hekurudhore.