Një aeroplan me 160 azilkërkues ka aterruar këto ditë në Tiranë, pasi që autoritetet e Islandës, Suedisë dhe të Italisë, ua refuzuan kërkesën për azil këtyre shqiptarëve. Prej të kthyerve, 17 refugjatë kanë qenë nga Islanda, e cila ka prit momentin për riatdhesim në Shqipëri.
Avioni me të cilin u transportuan azilkërkuesit shqiptarë, ishte nën kujdesin e “Frontex”, agjenci e Bashkimit Evropian për sigurinë e jashtme, raportojnë mediet shqiptare.
Aeroplani, siç thuhet bëri një ndalesë në Suedi dhe Itali ku u morën edhe 143 azilkërkuesë të tjerë. Kështu në total numri i azilkërkuesëve shqiptarë, të kthyer në Shqipëri, shkoi në 160.
Drejtoria e Emigracionit në Islandë nuk ua miratoi kërkesën për strehim 17 shqiptarëve, por arsyet e këtij vendimi ende nuk i ka bërë publike. Këtë vit, shqiptarët kanë numrin më të madh të azilkërkuesëve në Islandë, pas Kroacisë, thuhet në raport.
Ndryshe, Shqipëria tashmë ka marrë statusin e vendit kandidatë për në BE, ndërsa ka më shumë se dy vjet që është përfshirë në procesin e liberalizimit të vizave. Megjithatë, heqjen e vizave edhe shqiptarët e kanë shfrytëzuar për të kërkuar azil në vendet e BE-së.
Shumica nga ata që kërkojnë azil, kanë të njëjtin justifikim: “ikin nga gjakmarrja”.