Pavarësisht motos, “në futboll nuk ka politikë”, megjithatë futbollistët kosovarë për shkak të ndikimeve politike kanë mbetur të margjinalizuar tash e 14 vjet. Që t’u hiqet bllokada të paktën për lojëra miqësore, shefi i FIFA-s, Sepp Blatter ka ftuar të martën në një takim të veçantë, Fadil Vokrrin dhe Tomislav Karaxhiqin.
Vokrri dhe Karaxhiq përfaqësojnë dy federatat e futbollit, i pari të Kosovës dhe i dyti të Serbisë. Ftesa nga FIFA tashmë ka mbërritur në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), sikurse në Federatën e Futbollit të Serbisë (FSS).
Në këtë takim, Vokrri e Karaxhiq do të shoqërohen nga sekretarët e federatave përkatëse.
Në ftesën e Blatterit thuhet se temë diskutimi në takimin trepalësh do të jetë çështja e futbollit në rajon, por temë boshte e këtij takimi, siç ka thënë për “Tribunën”, sekretari i FFK-së, Eroll Salihu, do të jetë çështja e futbollit kosovar.
Salihu ka thënë se Blatter e ka organizuar këtë takim trepalësh rreth gjetjes së ndonjë mënyre që Kosova të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare pa kushtëzime, deri në anëtarësimin e plotë të saj në UEFA e FIFA, e jo me kufizime, siç iu kishin vendosur në maj të vitit të kaluar.
“Kërkesa jonë dhe insistimi ynë është që të luajmë pa kushtëzime. Madje, ne duam të luajmë edhe me Përfaqësuesen A të Kosovës, pa asnjë kushtëzim”, deklaroi Salihu.
Ndryshe mosnjohje e Kosovës nga pesëshja e BE-së (Spanja, Qiproja, Sllovakia, Greqia dhe Rumania) përveç ndikimeve politike, ka pasur refleksione edhe në arenën sportive. Përveç disa sporteve që janë pranuar ndërkombëtarisht, futbolli dhe basketbolli mbeten jashtë FIFA-s dhe respektivisht FIBA-s.