Vajza pesëmbëdhjetëvjeçare e përkatësisë rome, e dëbuar ditë më parë nga Franca në Kosovë, Leonarda Dibrani, refuzon ofertën e presidentit francez, Francois Hollande, që të kthehet sërish në Francë, por pa familjen e saj.
Presidenti Hollande në deklaratën e tij i ka ofruar vajzës që të kthehet në Francë dhe të vazhdojë shkollimin.
Por Leonrada ka refuzuar mundësinë që të kthehet në Francë pa familjen e saj, raportojnë mediat e Prishtinës.
Familja Dibrani kishte jetuar për më shumë se katër vjet në Francë, para se të dëbohej më herët gjatë këtij muaji.
Rasti i nxënëses rome ka ngjallur reagime dhe protesta të shumta në Francë, pasi që policia e ka marrë atë nga autobusi ku ishte me shokët e shkollës, pas kthimit nga një ekskursion. Prindërit dhe familjarët e tjerë të saj po ashtu ishin dëbuar.
Familja Dibrani është kthyer dhunshëm në Mitrovicë, prej nga kryefamiljari kishte deklaruar se kishin prejardhjen. Ndërkohë ai ka thënë se i vetmi në familje me prejardhje nga Kosova është ai.
Fëmijët, përfshirë edhe Leondardën, kishin lindur në Itali, prej nga kishin ikur dhe kishin kërkuar azil në Francë, duke u prezantuar si kosovarë.