Fillimisht ishte menduar se lëndimi i pësuar në ndeshjen e Zvicrës me Shqipërinë do ta nxirrte jashtë fushës së futbollit vetëm dy javë, por ndërkohë mjekët bëjnë të ditur se Xherdan Shaqiri do t`i mungojë Bajernit të Munihut gjashtë deri në shtatë javë!
Diagnoza e lëndimit të tij është dëmtim i muskulit në pjesën e prapme të kofshës. Mjeku i Bajernit, Hans-Wilhelm Müller Wohlfart ka bërë të ditur të martën se lëndimi ka qenë më serioz se që ishte menduar, shkruan Münchner Abendzeitung.
“Jam i dëshpëruar por do të përpiqem që sa më shpejt të kthehem serish në formë”, citohet të ketë thënë Shaqiri në faqen e internetit të Bajernit.
Për fillim, mesfushori do të mungojë në ndeshjen që FC Bayern e luan të shtunën kundër FSV Mainz.