2018 ishte një vit i dobët për industrinë automobilistike zvicerane. Shitjet e përgjithshme të automjeteve të reja kanë rënë përsëri për të tretin vit radhazi, por një segment u dallua, përcjell albinfo.ch.
Sipas “Auto-suisse”, organizata ombrellë për importuesit e makinave, pothuajse një në çdo dy vetura apo 49% prej tyre që u shiten në Zvicër vitin e kaluar ishin makina 4x4s, një rekord zviceran dhe dyfish më shumë se dhjetë vjet më parë, shkruan “swissinfo”.
“Zvicra është një vend i pasur, makinat vijnë nga jashtë dhe franga zvicerane është e fortë, kështu që zviceranët blejnë vetura më të mëdha, më të gjera dhe më të gjata sesa fqinjët tanë evropianë”, ka thënë Pierre Emmanuel Dessemontet, ekspert në gjeografinë urbane dhe periferike në Institutin Federal të Teknologjisë në Llozanë (EPFL), përcjell albinfo.ch.
Për presidentin e “auto-swiss”, François Launaz, zviceranët duan një teknologji që ofron siguri më të madhe, veçanërisht në dimër.
“Edhe nëse shumica e popullsisë zvicerane nuk jetojnë në male, ata rregullisht udhëtojnë atje për ski”, tha ai për swissinfo.ch.
Mirëpo, kjo situatë po përballet me kundërshtim nga ambientalistët, të cilët këmbëngulin se Zvicra duhet të fokusohet në reduktimin e emetimeve të CO2 të shkaktuara nga transporti rrugor, përcjell tutje albinfo.ch.
Sipas Zyrës Federale për Mjedisin, nga 53.5 milionë ton CO2 emetuar në Zvicër në 2016, 28% erdhi nga transporti rrugor.
Veturat ishin përgjegjëse për 77% të këtyre shkarkimeve, pasuar nga kamionët 12% dhe furgonët 7%.
Mes viteve 1996-2016, emetimet mesatare të CO2 (dyoksidit të karbonit), nga veturat e reja ra në mënyrë të qëndrueshme, kryesisht për shkak të biokarburanteve. Por kjo u ndryshua në vitin 2017 + 0.4%, e ndjekur nga një rritje më e madhe në vitin 2018 + 3%.