Me rastin e Ditës Botërore të Postës fëmijë nga Prishtina kanë vizituar të mërkurën ndërmarrjen publike Posta e Kosovës Sh.A. ku janë pritur nga Kryeshefi Ekzekutiv Sejdi Hoxha dhe menaxherë tjerë, thuhet në një njoftim për medie të dërguar nga PK.
Vogëlushë nga Kopshti i Fëmijëve “Kids Academy” dhe nxënës të Shkollës Fillore “Zenit” janë njoftuar nga punonjës të Postës me procesin e dërgimit të letrave, kartolinave, vendosjes së pullës postare, adresës, etj.
Atyre u është mundësuar të dërgojnë letra falas në adresë të prindërve dhe gjyshërve të tyre, thuhet më tutje në njoftim.
Dita Botërore e Postës shënohet për çdo vit, më 9 tetor, në të gjitha shtetet e botës. Në këtë mënyrë kompani publike postare shënojnë ditën e themelimit të Unionit Postar Universal (UPU) që përbëhet nga 192 shtete anëtare.
Posta e Kosovës Sh.A. synon të anëtarësohet në këtë organizatë ndërkombëtare sa më shpejtë që është e mundur, përfundon njoftimi për medie i Postës së Kosovës.