Në një aksident të rëndë që ka pësuar një barkë që po bartte refugjatë nga Afrika drejt Italisë kanë humbur jetën një numër i madh i personave që ndodheshin në barkë. Fatkeqësia ka ndodhur në afërsi të ishullit italian, Lampedusa.
Rreth numrit të atyre që kanë humbur jetën në këtë fatkeqësi, mediet dhe agjencitë e lajmeve nga Italia dhe nga bota, japin shifra kontradiktore. Disa burime flasin për së paku 60 dhe të tjerat për 80 e më shumë njerëz të vdekur në këtë tragjedi.
Në bordin e barkës kanë qenë rreth 500 refugjatë afrikanë, kanë bërë të ditur autoritetet lokale në Lampedusa, shkruan ansa. Ky numër i madh bën të dyshohet se numri i atyre që kanë pësuar mund të rritet ndërkohë.
Rojat e bregdetit janë angazhuar për të ndihmuar refugjatët e mbetur gjallë, për çfarë janë vënë në funksion edhe helikopterët.