Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, përmes një letre dërguar Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka përgëzuar popullin e Kosovës për përvjetorin e njëmbëdhjetë të pavarësisë.
Në letrën e urimit presidenti amerikan rithekson rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
Presidenti Trump i ka inkurajuar qytetarët e Kosovës që të fokusohen në ruajtjen e parimeve demokratike, në forcimin e sundimit të ligjit dhe në avancimin e mundësive ekonomike dhe tregtare.
“Më e rëndësishmja, Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet, që është esenciale për integrimin perëndimor të Kosovës. Ne e shohim njohjen e dyanshme si themel të marrëdhënieve të normalizuara dhe si bazë për çfarëdo zgjidhje gjithëpërfshirëse”, thuhet në urimin e presidentit amerikan.