Krishterimi dhe islami shkojnë me të vërtetë mirë së bashku, mendon Xhemile Jusuf.
„Nuk shoh dallime të mëdha. Në fakt, kanë më shumë ngjashmëri se dallime. Për të krishterët e devotshëm është e rëndësishme që fëmijët e tyre të kenë një edukim fetar në shkolla, kjo është e rëndësishme edhe për myslimanët“, tha Xhemile Jusuf me prejardhje turke. Xhemilja ka lindur në Gjermani nga prindërit turq. Si fëmijë e punëtorëve emigrantësh, ajo e kishte vështirë të shkonte në shkollë për shkak të diskriminimit.
Por Xhemilja ka luftuar vazhdimisht duke e kryer shkollën fillore, të mesmen dhe studimet në Gjermani. 35-vjeçarja tashmë dëshiron të luftojë politikisht.
“Unë do të jem në parlament për popullin për t’i çuar shqetësimet dhe brengat e tyre atje. Në fokus do ta kem arsimin. Unë mendoj se fëmijët dhe të rinjtë në Gjermani që nuk vijnë nga familjet joakademike e kanë vështirë arsimimin e tyre”, tha Xhemile Jusuf për revistën javore televizive në DW.
CDU ka gjetur kandidaten e duhur në Hagen, ngase një në dy fëmijë në këtë vend është me orgjinë emigracioni. CDU dëshiron të fitojë vota me turken e re myslimane, të cilën e ka transferuar në Hagen.
Por, Xhemilja mohon se është kandiduar vetëm për të mbledhur votat e të huajve, ngase në parti ka edhe të tjerë me origjinë të huaj.
Shanset janë të mira që Xhemile Jusufi të jetë turkja e parë deputete në radhët e demokristianëve konservatorë. CDU po e nxit shumë Xhemilen që të bëhet deputete, edhe pse ajo ka vetëm 4 vjet që merret me politikë.