Deri më tash projekti “Deutsch auf der Baustelle” (gjermanisht në kantier) kishte vetëm karakter të projektit-pilot. Në kuadër të tij, disa qindra punëtorë të ndërtimit mësonin gjuhën gjermane gjatë kohës së punës së paguar, në barakat e tyre në vendin e punës (albinfo.ch ka raportuar për këtë projekt). Me marrëveshjen e re, këto kurse përfundimisht mund të vazhdojnë, dhe jo më si pilot projekte.
Nico Lutz, udhëheqës i sektrit të ndërtimit në sindikatën Unia shprehet i kënaqur me këtë të arritur. “Ne e patëm bërë propozimin para pushimeve verore që kurset e gjermanishtes të ndiqen gjatë kohës së punës ose, në rast se ato lihen për në kohën e lirë të punëtorëve, atëherë, të mbështeten financiarisht.
Deri më tash punëdhënësit në ndërtimtari e kishin refuzuar një gjë të tillë. Prandaj është për tu përshëndetur që ata kanë marrë tash këtë vendim”.
Kurset do të financohen nga fondet e paritetit për kualifikim, fond ky të cilin e paguajnë së bashku punëdhënësit dhe punëtorët, kështu që paratë nuk mungojnë, shkruan srf.ch
Ata punëtorë që dëshirojnë mund ë ndjekin një kurs të gjermanishtes 50 leksione nga 50 minuta. Pas përfundimit me sukses të këtij kursi ata do të marrin si kompensim nga 750 franga, që nuk është kompensim i plotë në nivel të rrogës.
Kurset mbahen vetëm të shtunave, gjë që paraqet një problem por që, sipas Martin Senn nga Federata e Punëdhënësve në Ndërtimtari (SBV) thotë se “kjo është e pranueshme. Është konstatuar se ndjekja e kurseve gjatë kohës së punës nuk është e përshtatshme, sidomos pasi që ndjekësit e kurseve rrallë herë vijnë nga kantieri i njëjtë i punës”.
Qëllimi i kurseve të gjermanishtes në vendet e punës në ndërtimtari është që partnerët socialë të japin një kontribut për integrimin e punëtorëve të huaj në Zvicër. Të marrurit vesh në mes të punëtorëve në kantier ka shumë rëndësi, thotë kryetari i SBV, Werner Messmer, kur dihet se dy të tretat e punëtorëve janë të huaj.