Policia e Kantonit të Soloturnit ua ka ndërprerë protestën një grupi prej dhjetë azilkërkuesve të cilët prej pesë ditësh kishin bërë një kamp në arealin para Stacionit Hekurudhor.
Një zëdhënëse e policisë, ka vërtetuar për mediet lajmin që e ka emetuar më herët radio SRF se protestuesit janë marrë nga policia rreth orës 5 të mëngjesit. Ata nuk kanë bërë rezistencë ndaj aksionit policor.
Sipas zëdhënëses, ndërprerja e protestës ka qenë e nevojshme edhe për të siguruar mbrojtjen e vetë azilkërkuesve. Po ashtu edhe gjendja sanitare nuk ka qenë optimale në vendin që ata kishin zgjedhur për të protestuar.
Azilkërkuesit kishin qëndruar aty nga e premtja, duke protestuar kundër strehimit në një lokal nëntokësor të mbrojtjes civile, ku pretendonin se nuk ekzistojnë kushte për banim.
Pas ndërprerjes së detyruar të protestës, dhjetë azilkërkuesit ndodhen në lokalet e policisë. Ndërkohë, autoritetet e kantonit po vazhdojnë të kërkojnë një zgjidhje për strehimin e tyre.