Në kompleksin turistik në Jerzerc të Ferizajt filloi kampi (shkolla) veror me fëmijët nga diaspora “Ta njohim atdheun”.
Ky kamp organizohet nga Ministria e Diasporës, në bashkëpunim me Komunën e Ferizajt. Aty po marrin pjesë më shumë se 50 fëmijë nga diaspora dhe nxënës e mësues nga shkollat e Kosovës. Fëmijet e diasporës janë nga Austria, Suedia, Gjermania, Zvicra dhe Franca.
Ministria e Diasporës ka për synim që nëpërmjet këtij projekti të bëjë bashkë nxënës nga diaspora dhe nga komunat, të cilët vendosen bashkërisht në kampin veror.
Në kamp mbahet mësimi nga gjuha dhe letërsia shqipe, historia, gjeografia, arti muzikor dhe arti figurativ, si dhe aktivitete rinore dhe kulturore. Mësimi nuk do te jetë “ex-cathedra”, por në formë ekskursioni, loje, interkomunikimi etj.
“Disa nga temat që do të shtjellohen në kamp:Ta njohim më afër atdheun – vendlindjen. Ta thellojmë mësimin e gjuhës amtare dhe të letërsisë. T’i njohim bukuritë natyrore, kulturore dhe historike të atdheut, dhe Aktivitete sportive, etj”, thuhet në njüe njoftim të MeD-it.