Majlind L. 42 vjeç me origjinë nga Burreli ka vrarë me armë zjarri vjehrrin dhe vjehrrën e tij që banonin në një shtëpi private tek Unaza e Re (Astir) në Tiranë. Krimi i rëndë ka ndodhur mëngjesin e së hënës rreth orës 06:00.
Viktima kanë mbetur Bujar Mata, 63-vjeçar dhe Valentina Mata, 52-vjeçare. I vdekur ka mbetur dhe vetë autori i krimit, i cili qëlloi veten, shkruajnë mediat shqiptare.
Nga të dhënat e deritanishme mësohet se autori i krimit të rëndë kishte pak ditë që ishte kthyer nga Suedia, përcjell albinfo.ch.
Ai ishte ndarë me bashkëshorten, Nevila Mata dhe për këtë fajësonte prindërit e saj. Ndërsa Nevila ndodhet në azil në Suedi, Majlindi, i porsakthyer në Shqipëri, është hakmarrë ndaj saj, duke i vrarë nënën dhe babën.
Gjatë shikimit paraprak të vendit të ngjarjes, policia ka gjetur tri gëzhoja. Bujar Mata u gjet i vrarë në dhomën e ndenjes, ndërsa bashkëshortja e tij u gjet në korridorin e shtëpisë në përpjekje për t’iu larguar vrasësit.
Pas vrasjes së ish-vjehrrit dhe ish-vjehrrës së tij, mësohet se Majlind L. ka goditur veten me thikë dhe më pas është hedhur mbi kangjella nga kati i dytë i banesës.
Shkaqet e ngjarjes janë ende të pazbardhura plotësisht, por nga informacionet paraprake thuhet se konflikti mes autorit dhe ish-gruas së tij, Nevila Mata, kishin lindur për një apartament të konfiskuar.
Kjo i kishte detyruar ata të largohen jashtë vendit. Prej tre muajsh çifti jetonte në Suedi, ndërsa para dy ditësh autori Majlind L. ishte kthyer në Shqipëri.