Siç raporton Gazeta Shqiptare në Tiranë, Markus Ryffel ka investuar 120 mijë euro, për blerjen e 6 mijë metrash katrorë tokë në fshatin Budull të Fushë-Krujës, ku kishte planifikuar të ndërtonte një fabrikë për përpunimin e lëkurës.
Pas dyshimeve të forta për mashtrim, Ryffel i është drejtuar Prokurorisë së Tiranës, me një kallëzim ndaj personave të përfshirë në këtë aferë.
Organi i akuzës ka vendosur të mos fillojë procedimin penal, duke argumentuar se fakti nuk përbën vepër penale, pasi është një mosmarrëveshje që duhet të zgjidhet në rrugë gjyqësore mes tyre.
Zvicerani i është drejtuar gjykatës me një kërkesë për prishjen e vendimit të prokurorisë dhe rinisjen e hetimeve ndaj personave që ai pretendon se e kanë mashtruar.
Gjykata ka vendosur ta pranojë kërkesën e Markus Ryffel dhe të urdhërojë prokurorinë të rinisë hetimet, madje duke i lënë detyra konkrete, me qëllim kryerjen e një hetimi të drejtë dhe të paanshëm.