Skip to content

Bien investimet e huaja në Kosovë

Sipas BQK-së, gjatë vitit 2011 investimet e huaja direkte në Kosovë ishin 394 milionë euro ndërsa në vitin 2012 ato kanë rënën në 232 milionë euro

Përfaqësuesit e Bankës Qendrore të Kosovës raportojnë për një rënie të theksuar të Investimet e huaja në Kosovë gjatë dy viteve të kaluara. Vetëm mes vitit 2011 dhe 2012 është evidentuar një rënie e investimeve rreth 160 milionë euro. Kjo rënie konsiderohet mjaft shqetësuese.  

Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se gjatë vitit 2012 investimet e huaja direkte në vendin Kosovë ishin 232 milionë euro, derisa në vitin 2011 ishin 394 milionë euro.

Kulmi i investimeve të huaja në Kosovë, ka arritur në vitin 2007 kur investimet patën arritur në 440 milionë euro. Sipas raportit të Investimeve të Huaja Direkte (IHD) në Kosovë gjatë periudhës 2008 – 2011 kanë mbajtur një nivel të ngjashëm prej mesatarisht 8,3 për qind të PBB-së.

Por, si rezultat i krizës globale financiare, gjatë vitit 2009 IHD-të shënuan rënien më të theksuar, ndërsa në vitet 2010-2011 vlera e këtyre investimeve filloi të rritet përsëri megjithëse me një ritëm të ngadalshëm.

“Ndërkohë, trendi u përkeqësua dukshëm në vitin 2012 duke arritur në rreth 5 për qind të PBB-së. Ky përkeqësim i trendit dëshmon për ndjeshmërinë që kanë IHD-të ndaj zhvillimeve në ekonomitë e vendeve të eurozonës, të cilat njëkohësisht paraqesin burimin kryesor të IHD-ve në Kosovë”, citon “Zëri” një raport të BQK-së.

Ndjeshmëria e IHD-ve ndaj zhvillimeve në eurozonë, siç thuhet, ilustrohet edhe me faktin se investimet tjera kanë shënuar rënie më të theksuar prej 46,6 për qind, krahasuar me kapitalin aksionar prej 45,3 për qind rënie.

Më tej në raport thuhet se IHD-të në Kosovë kryesisht janë përqendruar në sektorët e ekonomisë si patundshmëria me 31,7 për qind të gjithsej IHD-ve, ndërtimtaria me 20,8 për qind, prodhimtaria me 12,1 për qind, sektori financiar me 10,4 për qind, pasuar nga sektori i transportit dhe telekomunikacionit me një pjesëmarrje prej 7,9 për qind të gjithsej IHD-ve.

Gjatë vitit 2012 vlera e investimeve në patundshmëri është pothuajse e ngjashme me vitin paraprak, mirëpo për shkak të rënies së investimeve në sektorin e ndërtimit dhe të prodhimit vërehet një pjesëmarrje më e madhe e këtij sektori në gjithsej IHD-të.

Po ashtu, sektori financiar i cili në dy vitet paraprake vërehet se ka shënuar rënie të theksuar në gjithsej IHD-të, në vitin 2012 shënoi ngritje të lehtë dhe pritet të ketë ngritje edhe në vitin 2013 pasi që një bankë e re ka filluar operimin në sistemin bankar të Kosovës.

 Sipas raportit të BQK-së vendet e BE-së vazhdojnë të paraqesin burimin kryesor të IHD-ve në Kosovë.