Me moton ““Mjaft na izoluat, edhe sa kritere na duhen”, studentët e Universitetit të Prishtinës kanë protestuar për mosliberalizimin e vizave.
“Mjaft na izoluat”, “A është izolimi vlerë e BE-së”, “Edhe sa kritere duhen”, ishin vetëm disa nga pankartat që studentët kishin zgjedhur t’i përdornin përgjatë marshit që organizuan, për të kërkuar liberalizimin e vizave.
Ata kërkuan llogari pse qytetarët e Kosovës nuk po e marrin të drejtën e lëvizjes së lirë, duke thënë se të gjitha kriteret që janë kërkuar tanimë janë të plotësuara.
Pankartat dhe një dhuratë u vendosën te Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë, të cilat nuk arritën brenda zyrave, pasi që për t’i marrë ato është përkujdesur policia e Kosovës.