Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë theksoi se, ministria homologe serbe në momentin e fundit ka bërë të ditur anulimin e pjesëmarrjes, ndërsa jozyrtarisht mësohet se shkak për këtë vendim ka qenë pjesëmarrja e Kosovës dhe ministrit të saj të mbrojtjes, Agim Çeku, raportojnë mediat në Kosovë.
“Për fat të keq Republika e Serbisë, vendosi të mos jetë pjesë e kësaj konference, për arsye të cilat ajo vetë i di”, ka theksuar ministri maqedonas i Mbrojtjes, Talat Xhaferi, i pyetur lidhur me mospjesëmarrjen e palës serbe.
Të gjitha vendet e Kartës së Adriatikut A-5, së bashku me SHBA-të dhe përfaqësuesit e NATO-së në Maqedoni, ishin ftuar në një konferencë të ministrave të mbrojtjes në Ohër, ku disa vende u përfaqësuan në nivel zëvendësministrash, disa në nivel ambasadorësh, ndërsa ministri serb i mbrojtjes Aleksandër Vuçiç e bojkotoi këtë konferencë.