Gjermania ka zbuluar se ka 1.5 milion banorë më pak nga sa ishte llogaritur pas regjistrimit të parë të realizuar që nga bashkimi në vitin 1990.
Të dhënat e reja treguan se popullsia është 80.2 milionë banorë, bëri të ditur zyra federale e statistikave „DESTATIS„. Regjistrimi në vendin më të madh të Evropës ishte realizuar më 9 maj 2011.
Deri tani të dhënat e regjistrimit datonin që në kohën e Gjermanisë Perëndimore në vitin 1987 dhe në vitin 1981 për Gjermaninë Lindore.
Të dhënat e reja tregojnë se numri i të huajve me pasaportë gjermane është mbivlerësuar.
Numri total i të huajve në Gjermani është 6.2 milionë, 1.1 milion më pak nga sa ishte llogaritur, që përbën 7.7 për qind të popullsisë totale.
Numri i banorëve jo me origjinë gjermane është 15 milionë, rreth 19 për qind e popullsisë totale.
Hamburgu ka përpjesëtimin më të lartë të banorëve me etni të huaj, 27.5 për qind.
Shifra për kryeqytetin, Berlinin, është 23.9 për qind, ndërsa në qytetet e Gjermanisë Lindore kuota është më pak se 5 për qind.
Regjistrimi ka zbuluar gjithashtu se 66.8 për qind e të regjistruarve e konsiderojnë veten të krishterë dhe 10.5 për qind ateistë.
Në Gjermaninë lindore personat që nuk kanë një besim janë rreth 33 për qind, shumë më lart se 6 për qind e regjistruar për Gjermaninë perëndimore.
Vetëm 1.9 për qind e të regjistruarve thanë se ishin myslimanë.
Por, ekspertët besojnë se shumë myslimanë gjatë procesit kanë përdorur të drejtën për të mos e deklaruar besimin e tyre, shkruan “Der Spiegel”.