Skip to content

Rritet varfëria në Kosovë

Varfëria vazhdon të mbetet problem shqetësues për shoqërinë kosovare. 29.2 për qind e popullit jetojnë në varfëri, ndërsa 8.2 për qind në varfëri të skajshme

Niveli i papunësisë vazhdon të mbetet shumë i lartë, duke ndikuar kështu edhe nivelin e përgjithshëm të varfërisë në Kosovë. Sipas të dhënave të Agjencisë se Statistikave të Kosovës, 29.2 për qind e popullit jetojnë në varfëri, ndërkaq 8.2 për qind në varfëri të skajshme.

Përfaqësues të organizatave humanitare, konsiderojnë se niveli i varfërisë është më i lartë, se sa që paraqitet me shifra zyrtare. Ndërkaq, burimi kryesor i të ardhurave të ekonomive familjare janë pagat.

Feride Hyseni është sekretare e përgjithshme në Kryqin e Kuq të Kosovës. Ajo thotë për REL se gjendja në terren është tejet shqetësuese, sa i përket varfërisë në vend, sepse sipas saj, varfëria është duke u rritur dhe jo duke u zvogëluar.

Megjithatë, ajo thekson se kjo shoqatë kohë pas kohe, ndihmon familjet me gjëra ushqimore dhe higjienike, por kërkesat e tyre janë më të mëdha se sa mundësitë ekzistuese.

Kryqi i Kuq i Kosovës ka të evidentuara mbi 17 mijë familje që ndihmon herë pas here, e që 80 për qind e prej tyre nuk gëzojnë as asistencë sociale. 

“Ne bazohemi në familje që kanë numër më të madh të anëtarëve, kanë fëmijë, pleq, ku kanë telashe të tjera. Mund të them se 80 për qind të familjeve që ndihmojmë ne, nuk gëzojnë asnjë të ardhur, do të thotë se as nuk punojnë dhe as nuk kanë ndonjë ndihmë”, tha Hyseni.

Përveç familjeve që ndihmon Kryqi i Kuq, janë edhe 31 mijë familje të tjera, të cilat marrin asistencë sociale nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Shuma që marrin këto familje është nga 40 deri në 80 euro në muaj, varësisht nga numri i anëtarëve që kanë.

Time Kadriaj, ndërkaq është zëvendëskryetare në Komisionin për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale në Kuvendin e Kosovës. Edhe ajo konsideron se niveli i varfërisë arrin rreth 40 për qind dhe jo afër 30 për qind, siç raporton Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Ky fenomen, thotë ajo, është shqetësues, pasi në Kosovë janë krijuar dy shtresa të shoqërisë, shtresa e varfër dhe ajo shumë e pasur.

“Reforma më e mirë e kalimit të kësaj gjendjeje është mundësia e punësimit të kësaj kategorie, në çfarëdo lloji pune, në mënyrë që të kenë mundësi të krijojnë kushte për mbijetesë të familjes së tyre”, thotë Kadriaj.

Përfaqësues të organizatave joqeveritare në Kosovë, theksojnë se niveli i ulët i punësimit në vend, ka rritur dukshëm nivelin e varfërisë.

Jeton Mehmeti, drejtor i hulumtimeve në Institutin për Studime të Avancuara “GAP”, thotë se për të zvogëluar numrin e të varfërve në Kosovë, autoritetet kompetente duhet të mbështesin sektorin privat, në mënyrë që të rrisin shkallën e punësimit.

“Kosova ka nivelin më të ulët të punësimit në Evropë, me rreth 25 për qind të punësimit. Nëse i krahasojmë me vitet e paraprake, në vitin 2006 shkalla e punësimit ka qenë 29 për qind”, shprehet Mehmeti.

Sipas këtyre statistikave, ka më pak të punësuar se sa që kishte gjashtë vite më parë. Kjo ka ndikuar sepse shumë organizata ndërkombëtare janë mbyllur dhe shumë punëtorë kanë mbetur pa punë.

Megjithatë mërgimtarët vazhdojnë ta mbajnë gjallë boshtin social të Kosovë, me më shumë se 600 milionë euro të hyra në vit.