Për çdo ditë, nga aeroporti i Dyseldorfit dëbohen familje, të rinj dhe gra. Mesatarisht, në gjysmën e parë të vitit 2018 janë dëbuar 15 persona në ditë, gjithsej 2668 persona.
Siç raporton “Rheinische Post”, deri në fund të tetorit të këtij viti janë realizuar 51 fluturime në Serbi, Maqedoni, Shqipëri apo Kosovë, transmeton Albinfo.ch.
Sipas Policisë Federale gjermane në Dusseldorf, disa nga të dëbuarit e kanë pranuar në mënyrë të qetë dëbimin, shumë fëmijë bile as që e dinë se çfarë është duke ndodhur në të vërtetë, ndërsa disa të tjerë e mbrojnë vetveten me duar dhe këmbë kundër dëbimit.
Sa për krahasim, gjatë së njëjtës periudhë 157 persona janë dëbuar nga aeroporti Köln/Bonn. Mesatarisht, një në ditë, informon Albinfo.ch.
Kush se ku do të dëbohet në vendin e tij, kur dhe përmes cilit aeroport në Gjermani, vendos Policia Federale në Potsdam.
Megjithatë, vendimi se kush do të dëbohet, fare nuk bëhet nga Policia Federale, por nga Zyra e Emigracionit.