Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) në Maqedoni ka pranuar katër ankesa të VMRO-DPMNE-së dhe ka vendosur që në komunën e Strugës të ketë rivotim, për zgjedhjet e balotazhit.
Zgjedhjet, siç informon INA, do të përsëriten në vendvotimin e Ladorishtës dhe në një vendvotim në Strugë. KSHZ, ndërkaq pritet t’i shqyrtojë edhe 13 ankesa të tjera për Strugën, të dorëzuara nga VMRO-DPMNE dhe LSDM.
Në Ladorishtë siç thuhet, zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Vladimir Peshevski si përfaqësues i VMRO-DPMNE-së është penguar për të ndjekur procesin e votimit.
KSHZ do të shqyrtojë edhe 252 ankesat e LSDM për parregullsi në 15 komuna. KSHZ po shqyrton ankesat edhe pas afatit të kaluar prej 48 orëve.
Shqyrtimit të ankesave për Strugën i ka paraprirë një debat i ashpër midis anëtarëve të KSHZ, sidomos mes dy anëtarëve shqiptarë, Subhi Jakupit të BDI-së dhe Bedredin Ibrahimit të PDSH-së. Në komunën e Strugës në raundin e dytë fitoi bindshëm kandidati shqiptar Ziadin Sela.