Stuhia e fuqishme “Fabienne” e ka përfshirë Gjermaninë, derisa edhe disa vende evropiane janë përfshirë nga erërat e forta.
Stuhia në Gjermani ka arritur deri në 158 km/orë, duke shkaktuar edhe vdekjen e një gruaje 78-vjeçare nga Bavaria.
Gjithashtu raportohet edhe për disa të lënduar në rajone të tjera të Gjermanisë, përcjell albinfo.ch.
Dhjetëra pemë u thyen e u shkulën me rrënjë, duke dëmtuar vetura, ndërtesa e biznese.
Probleme pati edhe në transportin hekurudhor dhe atë ajror. Erërat e fuqishme kanë mbërritur deri në jug në Zvicër e veri të Italisë. Meteorologët thonë se “Fabienne” ka përmasat e një uragani.
Në Saxony, qytetarët kanë thirrur autoritetet, duke thënë se janë goditur nga një tornado.
Gjithashtu edhe disa rrugë ishin bllokuar për një kohë të caktuar.