Të orientuar nga eksporti ekonomia zvicerane mund të arrijë rritjen më të madhe vjetore që nga viti 2010, pavarësisht rreziqeve globale të përshkallëzuara nga lufta tregtare, e cila përbën një kërcënim për vitin 2019, citon “Reuters”, përcjell albinfo.ch.
Sekretariati i Shtetit për Çështjet Ekonomike të Zvicrës (SECO) ka thënë se pret rritje ekonomike prej 2.9% në vitin 2018, duke tejkaluar parashikimin e rritjes qershorit prej 2.4%.
“Efektet e futjes së dyanshme të tarifave midis SHBA dhe Kinës, mund të shumohen dhe në Evropë, dhe qeveria italiane mund të krijojë turbullira tjera”, tha Ronald Indergand, një ekonomist në Sekretariatin e Shtetit.
Një tjetër çështje e mundshme është lirimi i Britanisë nga Bashkimi Evropian në mars të vitit të ardhshëm.
Të gjithë këta faktorë mund të ngadalësojë rritjen e BE-së, tregu më i madh i Zvicrës, ose të shkaktojë rritjen e frangut zviceran, i cili është parë shpesh nga investitorët si një valutë “azil”. Frangu më i shtrenjtë i shtrenjton produktet e vendit dhe rrjedhimisht zvogëlon rentabilitetin e kompanive.
Sekretariati i Shtetit për Çështjet Ekonomike (SECO) parashikon inflacionin prej 1% këtë vit në vend të 0.8%, duke i dhënë dritën e gjelbër Bankës Qendrore për të mbajtur politika monetare pa ndryshim gjatë takimit të enjten.
Ecuria e sektorit të prodhimit dhe eksporteve të forta ndihmon në rritjen ekonomike në tremujorin e dytë të vitit e cila do të arrijë 3.4% në baza vjetore, normën më të shpejtë në tetë vjet.
Qeveria pret që eksportet të vazhdojnë të ofrojnë një shtysë të rëndësishme për rritjen ekonomike.