Të premten kryebashkiaku i Londrës, Boris Johnson, inaguroi ndërtesën më të lartë të Evropës edhe për qytetarët, të cilët për 29 euro mund të ngjiten në majë të kullës për të shijuar një pamje panoramike të Londrës.
Ndërtesa është kryesisht në pronësi të Katarit dhe do të jetë një qendër tregtare.
Ndërkaq, analistët thonë se, plotësimi i të gjithë ndërtesës me dyqane do të jetë një sfidë për shkak se çmimet e pronave në qendër të Londrës janë rritur me më shumë se 40% gjatë tre viteve të fundit.
Sipas mediave britanike, rreth 540 milionë euro janë shpenzuar për ndërtimin e kësaj kulle në Londër.
Vizitorët nga kati i 72-të do të kenë shikim të papenguar në 360 shkallë në gjithë qytetin në perimetër prej 64 kilometrash.
Aktualisht ndërtesa më e lartë në botë konsiderohet “Burj Khalifa”, e cila gjendet në Dubai, me lartësi prej 828 metrash.
Ndërkohë francezët planifikojnë ndërtimin e kullave binjake, të larta 328 metra, të cilat do ta lënë nën hije ndërtesën Chard në Londër, e cila vlerësohet si më e larta në Evropë.