Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) ka demantuar lajmin e dhënë në lajmet e RTK-së, se kjo agjenci posedon informacione se Serbia nëpërmjet komunitetit serb në Kosovë, është e infiltruar në shkatërrimin e varrezave ortodokse në disa lokacione të Kosovës.
Nëpërmjet një komunikate dërguar medieve, AKI ka sqaruar se lajmi i dhënë në edicionin qendror të lajmeve të ditës së martë, 22 janar 2013 në RTK, nuk është i vërtetë.
“Duam të sqarojmë opinionin e gjerë se Agjencia e Kosovës për Inteligjencë me vëmendje të shtuar është duke përcjellë për së afërmi zhvillimet aktuale në vend, në përputhje me mandatin dhe kompetencat që ka. Mirëpo demanton se të dhënat e publikuara në RTK të jenë të AKI-së, përkatësisht të ndonjë burimi brenda AKI-së”, thuhet në sqarim.
Ndryshe në lajmet e mbrëmshme të RTK-së është thënë se “një burim brenda AKI-së ka dhënë disa informata në lidhje me dëmtimin e varrezave ortodokse serbe në Republikën e Kosovës”. I njëjti burim që doli se nuk është i vërtetë, ka thënë se varrezat serbe i kanë shkatërruar vetë serbët.