Ish deputeti nacional dhe ish kandidati nga SVP-UDC për Qeverinë Federale, Bruno Zuppiger është shpallur fajtor për veprën penale përvetësim të pasurisë së huaj. Gjykata e Qarkut në Cyrih e ka dënuar ish politikanin e lartë me dënim me kusht prej 13 muajsh heqje lirie dhe me një gjobë prej 1500 frangash.
Bruno Zuppiger dhe një ish punonjës i ndërmarrjes që është në pronësi të tij kanë pranuar se me rastin e trajtimit të një shume të hollash që ishte trashëgimi e një punëtoreje të vdekur të ndërmarrjes, kanë përvetësuar gjithsej 240.000 franga.
Për faktin se dy të akuzuarit e kanë pranuar veprën, procesi gjyqësor ndaj tyre është zhvilluar në një procedurë të shkurtuar.