Balada “Identitet” e Adrian Lulgjuraj e Bledar Sejkos ka fituar të drejtën të përfaqësojë Shqipërinë në Eurosong.
Kënga e tyre ka fituar mbrëmë në në Tiranë, çmimin e parë të Festivalit të Këngës në RTSH.
Ata kanë marrë pikët maksimale të 5 nga 7 anëtarët e jurisë.
Çmimin e dytë të festivalit e ka fituar Anjeza Shahini me këngën “Love”, ndërsa të tretin Hersiana Matmuja “Kush ta dha këtë emër”, transmeton Gazeta Shqiptare.
Nata finale e festivalit ka ofruar spektakël. Për të përshëndetur festivalin erdhën dy emra artistësh të njohur shqiptarë në botë: Saimir Pirgu, tenor e Shkëlzen Doli, violinist.
Ndërkaq, përpos këngëve të veta, konkurrentët kanë interpretuar edhe një kolazh nga Festivali i 11-të i këngës. Nuk kanë munguar as surprizat, siç ishin pjesëmarrësit nga Azerbajxhani.
Edi Luarasi dhe Bujar Kapexhiu kanë risjellë në kujtesë edicionin e vitit 1972.
Festivali u ndoq në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Tri netë sa ka zgjatur ngjarja kryesore muzikore e vitit në Pallatin e Kongreseve në Tiranë është realizuar nën drejtimin artistik të Shpëtim Saraçit dhe me një orkestër gjigante të përbërë nga orkestra simfonike e RTSH dhe orkestrina muzikore.