Kjo u bë e ditur nga drejtori i Policisë Rrugore, Mithat Tola.
“Javën në mbyllje dhe javët në vijim, shërbimi i Policisë Rrugore në bashkëpunim me “Autoritetin Rrugor Shqiptar”, nisur nga ngjarja tragjike rrëzimi i urës në Genova të Italisë, ku humbën jetën 39 persona, ka filluar inspektimin e sistemeve të sinjalizimit vertikal dhe horizontal mbi tregimin e peshës së lejuar të mjeteve mbi ura si dhe në përbërje të grupeve teknike të inspektimit edhe për të verifikuar gjendjen e këtyre strukturave dhe të elementeve të sigurisë”, tha Tola, përcjell albinfo.ch.
Po ashtu ai shtoi se do të monitorojë në mënyrë të rreptë tejkalimet e automjeteve me pesha të rënda.
“Në bashkëpunim me aktorë të tjerë të ngarkuar me ligj për menaxhimin e elementeve të sigurisë rrugore në këto infrastruktura, Shërbimi i Policisë Rrugore do të monitorojë në mënyrë të rreptë tejkalimet e peshave të ngarkesave të mjeteve, për të shmangur dëmtimet dhe respektimin e ligjit, duke prodhuar me shumë siguri rrugore”, tha në fund drejtori Tola.