“Këtë vit janë zgjedhjet lokale në Bruksel në 19 komuna dhe në një prej tyre, Koelkerbergu, unë do të jem kandidate”.
Alketa Selimaj, shqiptarja nga qyteti bregdetar i Vlorës, e treta në listën për Këshill Bashkiak, karrierën e ka nisur si aktiviste.
“Kam bërë pjesë në aktivitete të ndryshme si aktiviste në shoqata shqiptare ‘Alb-bel, Eagle Event’ që promovon imazhin e popullit dhe emigracionit shqiptar në Bruksel”, thotë ajo, raporton “abcnews”.
Jetën politike e nis si këshilltare, falë edukimit atje.
“Kam mbaruar drejtësi dhe e drejtë evropiane, këshilltare me presidenten e parlamentit frankofon të Brukselit dhe tani me ish-ministren e Brendshme”.
Propozimi për t’u bërë anëtare e listës “Alternativa humaniste” ishte për të oferta për të sjellë ndryshimin që kërkon, përcjell albinfo.ch.
“Është i njëjti sistem me të njëjtët drejtues. Ne kërkojmë diçka të re dhe pika jonë e parë e projektit është pjesëmarrja qytetare në vendimmarrje. Baza për një lokalitet vjen nga populli, ata e dinë çka duhet dhe ky është projekti ynë: T’i japim më shumë rëndësi qytetarëve”.
Pjesë e tyre është edhe komuniteti shqiptar atje, arsye e pjesëmarrjes së saj në këto zgjedhje.
“Konkretisht në zgjedhjet lokale duhet të kemi një listë që prezanton gjithë popullatën belge, sepse nuk i shikoj gjërat si i shikon një belg. Sot në Bruksel ka shumë vajza të tjera dhe është imazh pozitiv. Mendimi ynë si komunitet vihet në rëndësi tashme në Bruksel”.
Përfaqësimi i shqiptarëve në Bruksel shkon deri në nivel parlamentar dhe për Alketa Selimajn janë fillimisht ata përcjellësi i kulturës shqiptare në botë.
“Diaspora dhe emigracioni është imazhi i parë, jemi administratorët e parë të vendit. Komuniteti ynë është shumë i integruar dhe ka femra të tjera kandidate shqiptare. Në 19 komuna mund të jenë rreth 10-15 kandidatë shqiptarë që do jenë pjesë e votimeve. Kemi deputetin e parë, Ahmet Gjana, që është në parlamentin e Brukselit”.
Me modesti pret mundësinë e pjesëmarrjes direkte në këtë shërbim ndaj komunitetit dhe diasporës shqiptare, por fitoren nuk preferon ta quajë të garantuar, pavarësisht pozicionimit në vendin e tretë të listës së kandidates për kryebashkiake Veronik Lefrans.
“Jo e garantuar, por ka shumë shanse sepse vendi në listë ka influencë. Shpresoj, do jem pjesë e bashkisë së Koelkerbergut në rast fitoreje”.
Karrierën politike nuk e projekton në Shqipëri, por është rikthimi në rrënjët e aktivizimit, për Selimajn, rruga që mund ta shtyjë drejt vendit amë, Shqipëri.
“Aktualisht jam shumë mirë atje sepse mësoj shumë. Të jem pjesë e politikës këtu nuk e di, por në të ardhmen mund të kthehem si aktiviste për të ndryshuar diçka. Njerëzit që takoj këtu nuk më këshillojnë të kthehem, kjo tregon se qytetari shqiptar nuk është i plotësuar”.
Ndaj i këshillon, nisur nga eksperienca dhe bindja personale.
“Nëse duam të ndryshojmë diçka nuk mund ta bëjmë në kafene apo biseda mes nesh, ndryshimi vjen nga populli, edhe pse e vështirë është e mundur. Arsimin mjekësinë që janë më bazike apo administratën publike. Kjo mund të vij vetëm nga populli, këtë i këshilloj të rinjve në radhë të parë”.
Zgjedhjet në Bruksel do të mbahen të dielën e 14 tetorit dhe pritet të nxjerrin trupat e reja lokale për 19 komuna, mes të cilave me pak punë pritet të jetë pjesë edhe shqiptarja Alketa Selimaj.