Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në ceremoninë e varrimit të veprimtarit Adem Demaçi e ka quajtur kolos atë.
“Sot, më 28 korrik, kombi shqiptar po ndahet fizikisht nga Adem Demaçi, një kolos që u vetëmohua tërë jetën për qëllimin madhor, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe bashkimin kombëtar”, ka thënë Presidenti.
Ndërsa Kryeministri Haradinaj në fjalën e tij para të pranishmëve tha se Baca Adem Demaçi ishte patriot, ishte si të tjerët, por i veçantë në veprën e tij, i brezit të vet, por i vetmi.
“Kur të tjerët u ndalën, Bac Ti vazhdove, kur të tjerët u gëzuan me të drejtat e pjesshme, ty të mundonte padrejtësia e pjesshme. Ti ishe i vetëm për të drejtën e plotë. Kur të tjerët iu gëzuan lirisë së pjesshme, Ty të mundonte robëria e pjesshme. Ti ishe për liri dhe të drejta të plota”, tha kryeministri Haradinaj.