Javën që vjen fillon gjykimi i një shqiptari 23 vjeçar nga Kosova për vrasjen me paramendim të një bodigardi gjerman në një lokal argëtimi në Grenchen të Solothurnit.
Në diskotekën “Luxory” në Grenchen, më 3 prill 2011, pak para orës 3 të mëngjesit kishte ndodhur një konflikt fizik në mes të një numri personash.
Me atë rast, një punëtor gjerman i një firme të sigurimit fizik kishte pësuar plagë të rënda nga therjet me thikë, nga të cilat edhe ka vdekur.
Së paku shtatë herë e ka goditur me thikë kosovari bodigardin, thuhet në aktakuzë.
Kosovari i dyshuar për këtë krim qe arrestuar katër ditë më vonë, në Grenchen.
Pos tij, janë paditur për pjesëmarrjen në përleshjen fizike para diskotekës në fjalë edhe pesë persona tjerë Prokuroria i ngarkon të akuzuarit edhe delikte tjera pasurie pastaj shkeljen e ligjit mbi narkotikët, mbajtje armësh pa leje dhe shkaktim lëndimesh trupore.
Kosovari, i cili po mbahet në paraburgim që nga qershori i vitit 2011, mund të dënohet deri me 20 vjet burg.