Presidenti Hashim Thaçi ka bërë të ditur se kërkesa e Luginës së Preshevës për t’iu bashkuar Republikës së Kosovës, me shumë gjasë do të jetë në tryezën e bisedimeve me Serbinë.
Por, se a do të realizohet apo jo një kërkesë e tillë, sipas presidentit Thaçi, gjasat janë minimale. Këto komente presidenti i ka bërë pas takimit me krerët politikë të komunave me shumicë shqiptare të Luginës së Preshevës, ku edhe një herë tjetër ka mohuar opsionin e ndarjes së Kosovës.
Në anën tjetër, përfaqësuesit politikë nga Lugina e Preshevës, përveç zbatimit të kërkesës së dalë nga referendumi i vitit 1992, kërkuan edhe angazhimin institucional të Kosovës për respektimin e të drejtave të tyre nga shteti i Serbisë.
Pa zgjidhjen e problemit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, tha se nuk do të ketë stabilitet në Ballkan.