Ajo ka thënë se Shqipëria është vend sovran dhe si i tillë fatet e vendit i kanë në dorë vetë shqiptarët. Në rastin më të mirë, thekson Kryemadhi, të huajt i mirëpresim të na ndihmojnë, por jo të bëhen patericë e Qeverisë së krimit e drogës.
“Ajo që nisi si një gjueti shtrigash për orët dhe çantat e prokuroreve dhe gjykatësve, që dukej se kishin më shumë rëndësi se bandat dhe kriminelët që ende qarkullojnë të lirë me bekimin dhe sponsorizimim personal të Edi Ramës. Ajo që duhej të ishte një betejë parimore për sistemin e drejtësisë, u shndërrua në betejë personale me emra të përveçëm, që as më pak e as më shumë kishin prishur pazaret e qeveritarëve dhe jo vetëm”, ka thënë ajo.
Për Kryemadhin, e gjithë propaganda qeveritare për suksesin imagjinar të Reformës në Drejtësi nuk është gjë tjetër veçse kambana e alarmit për kufomën e drejtësisë shqiptare.