Policia e Kosovës njofton se mbrëmë ka arrestuar një 57-vjeçar në Mitrovicë i cili ka shtënë me armë zjarri në një aheng në rrugën “Beteja e Koshares” në Mitrovicë.
Policia thotë se në vendin e ngjarjes janë gjetur dy gëzhoja, ndërsa nga i dyshuari H. M., 57 vjeçar, është konfiskuar një armë e llojit pistoletë, me të cilën dyshohet se i dyshuari e ka shkrepur në aheng familjar.
“Policia apelon te qytetarët që të shmangin veprimet e tilla, ku përdorimi i armëve në ahengje dhe dasma është i sanksionuar me ligj. Policia do të ndërmarrë të gjitha veprimet sipas autorizimeve, përfshirë ndalimin e personave të dyshuar, ndaljen e kolonave me dasmorë, si dhe bastisje të lokacioneve ku dyshohet se janë përdorur armët”, thuhet në njoftimin e policisë.