“Zef Bunga ka puthur Ana Frankun”, këndon ansambli me sa zë ka dhe në përmbyllje kemi një hepiend, edhepse vetëm në “botën e përtejme”. Ad de Bond dhe kompania e tij teatrore holandeze “De Toneelmakerij kanë ngjitur në skenë dy fate njerëzore që nuk ka si të jenë më të tmerrshme dhe të pikëlluara. Në Shqipërinë e Veriut Zefi qëllohet për vdekje nga shoku i tij më i mirë, pasi që kishte qëndruar i ngujuar në shtëpi për dy vite me radhë.
Fajin për vrasjen e ka kanuni, gjakmarrja e cila miqtë i shndërron në armiq. Anne Frank vdes, e përndjekur, e posht¨ruar dhe e sëmurë, në kampin nazist Auschwitz-Birkenau. Kur, pas vdekjes, të dy të rinjtë takohen në botën tjetër, ia rrëfejnë njëri tjetrit rrëfimet e tyre dhe ngadalë afrohen njëri me tjetrin.
Në kuadrin e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Halbstark” që i dedikohet fëmijëve nga mosha 9 deri në moshën 13 vjeçare, autori dhe regjisori holandez Ad de Bont ka ngritur në skenë një lojë madhështore teatrore. “Anne und Zef” e përpunon një histori të fuqishme përmes një lehtësie që të bën për vete.
Një meritë thelbësore në këtë sukses e ka muzika e Guus Ponsioen, ku përfshihen tinguj folklorikë, sikur të jesh në një treg, diku në malësitë e Shqipërisë së veriut. Gjatë rreth një ore e gjysmë sa zgjat shfaqja, dy karakteret zhvillohen dhe bëhen të papërkulshëm. Anne me mjekrën rezistuese, të ngritur lartë, e mban shpresa deri në fund, ndërsa tifozi i futbollit, Zefi, me talentin e tij prej aktori me humor i tejkalon çastet e rënda që i paraqiten, shkruan gazeta “Münsterlander Volkszeitung”.
Me katër aktorë të rryer, para së gjithash me Floris Verkerk në rolin e Zefit dhe Laura de Boer në rolin e Ana Frank, dhembja dhe kënaqësitë jetësore bëhen njësoj të kuptueshme.