Bujku nga Urdorfi (Cyrih) Thomas Grob është tronditur shumë kur, të shtunën në mëngjes, ka parë se në kopenë e tij të vogël të deleve mungonte dashi me emrin Kurti. E gjithë ajo që ai po shihte, ishte dheu i përgjakur dhe delet e trishtuara.
Pastaj vjen një e njohur e tij dhe i tregon se duke shëtitur në pyll kishte parë të varur në një pemë një gëzof deleje si dhe eshtra dhe të brendshme. Policia e alarmuar vërteton shpejt se bëhet fjalë për mbetjet nga dashi i therur, Kurti. Sipas policisë, dashi është therur “me një thikë të pamprehur dhe në mënyrë shumë joprofesionale”.
Dorasit janë kapur shumë shpejtë. Në qendrën e azilit që është afër pronës së bujkut Grob, policia ka arrestuar tashmë dy azilkërkues, 25 dhe 34 vjeçarë, nga Tunizia, të cilët kanë pranuar veprën.
Në lokalet e qendrës është gjetur dhe konfiskuar rreth 20 kilogramë mish i freskët deleje.