Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar rezolutën e deputetit të PSD-së, Faton Topalli, në lidhje me diasporën, ku parashihet që veturat e tyre mos të kontrollohen në kufi, por të përdoret metoda e rastit të kontrollimit.
Kjo rezolutë është miratuar me 63 vota për dhe 7 abstenime.
Rezoluta përmban këto pika: të reduktohen në minimum procedurat e përditshme të kontrollit të kalimit kufitar për bashkatdhetarët tanë në të gjitha pikat kufitare të Republikës së Kosovës; hyrja e veturave të bashkatdhetarëve në këto pika kufitare të bëhet pa ju nënshkruar kontrollit të domosdoshëm ndërsa kontrolli i tyre të bëhet me metodën e rastit; gjatë hyrjes në kufi të kontrollohet vetëm posedimi i policave kufitare për makinat; heqja e procedurave të rregullta aplikohet për periudhën 15 korrik 2018 – 15 shtator; të dyfishohen kapacitet e punës në të gjitha pikat kufitare gjatë periudhës në fjalë; MPB është përgjegjëse për zbatimin e kësaj rezoluta; dhe Rezoluta hyn në fuqi ditën e miratimit.