Drejtuesit e Lëvizja Vetëvendosje kanë kërkuar që të ndryshohet Ligji i Punës, dhe që inspektorati t’i përcjellë punëdhënësit nëse po i përmbushin obligimet e tyre. Ata kanë thënë se janë të shqetësuar me rritjen e numrit të vdekjeve në punë.
Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku-Mulhaxha, tha se çdo vdekje e punëtorit në vendin e punës duhet të vret ndërgjegjen e shoqërisë. Por, sipas saj, vdekja e 17-vjeçarit në Prizren është tragjedi kombëtare.
“Vdekjen e këtij të riu lirisht mund ta quajmë tragjedi kombëtare. Ne jemi shumë të shqetësuar me trendin e aksidenteve në vendin e punës. Duam ta dimë se a do të japë dikush përgjegjësi për vdekjet në punë. Çështja më urgjente është ndryshimi i ligjit të punës dhe ligjit për shëndet në punë”, ka thënë ajo.