Zyra që merret me çështje të të huajve në kantonin Grabünden dhe që deri më tash ka mbajtur emrin “Enti Kantonal për Çështje policore dhe për të drejtën civile”, nga 1 nëntori 2012 do të quhet “Enti për Migracion dhe për të drejtën civile” (AFM).
Siç thuhet në një komunikatë të këtij enti, emërtimi i deritashëm shkaktonte në vazhdimësi konfuzion , duke u ngatërruar me emërtimet e autoriteteve të policisë së komunave dhe në veçanti me Policinë Kantonale. Veç kësaj, është konstatuar se emërtimi i vjetër nuk lidhet shumë me detyrat kryesore që ka enti në fjalë dhe nuk asocionon si emërtim me entet e ngjashme në kantonet tjera.
Që të gjithë sektorët e entit si ai për azil dhe zbatim, Policia për të Huaj, qendrat për identifikim si dhe Zyra kompetente për integrim, mbulojnë aspekte të ndryshme specifike të migracionit. Ndërsa sektori i të drejtës së shtetësisë dhe i të drejtës civile merret me natyralizimin dhe me çështje të migracionit.
Një përjashtim me rëndësi për këtë ent përbëjnë çështjet që lidhen me problemet e të drejtës civile. Këtu hyjnë çështje si e drejta ndërkombëtare private, e drejta personale, e drejta e emrit dhe ndryshimit të emrit.
Për këtë arsye, pjesa “civile” e emërtimit Enti për Migracion dhe për të drejtën civile, vazhdon të jetë e një rëndësie të veçantë, thuhet në komunikatën për shtyp të (ish) Entit Kantonal për Çështje policore dhe për të drejtën civile.