Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka komentuar marrjen e presidencës së BE-së nga Austria.
Ai ka thënë se ka besim të plotë në vizionin dhe energjinë e kancelarit austriak, Sebastian Kurz, për të shtyrë përpara agjendën evropiane të shtetit tonë dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor, shkruan Albinfo.ch.
Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në “Facebook”, Thaçi ka shkruar se presidenca e BE-së nga Bullgaria dhe Samiti i Sofjes kanë qenë një sukses i plotë dhe një hap i madh përpara drejt jetësimit të aspiratës sonë për anëtarësim në BE.
“E falënderoj kryeministrin bullgar, Boyko Borissov, për rolin dinamik në mbështetje të shteteve të Ballkanit Perëndimor, në gjashtë muajt e fundit të kryesimit të presidencës. Presidencën e BE-së tani e merr një shtet tjetër mik i Kosovës, Austria. Unë kam besim të plotë në vizionin dhe energjinë e kancelarit austriak, Sebastian Kurz, për të shtyrë përpara agjendën evropiane të shtetit tonë dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ne duhet të vazhdojmë me zbatimin e reformave të rëndësishme politike dhe ekonomike, të nevojshme në rrugën e pakthyeshme drejt anëtarësimit në BE”, ka shkruar Thaçi.