Një grup tifozësh zviceranë, të cilët kanë dashur ta mbështesin përfaqësuesen e tyre në ndeshjen kundër Brazilit, kanë bërë një gabim me rastin e rezervimit të hotelit, duke siguruar natën hiq më larg se 1.300 kilometra larg vendngjarjes. Në vend që të kërkojnë strehim në vendin ku ndodhet stadiumi – përkatësisht Rostov në Don, zviceranët kanë rezervuar hotelin në Rostov Veliki, në veri të Moskës. Kjo informatë është transmetuar nga mediat ruse, njofton Albinfo.ch.
Por, tifozët udhëtuan për në Rostovin e duhur ku gjendej një rrugë që i përkonte rezervimit të tyre. Mirëpo, hoteli nuk gjendej askund. “Turistët e huaj që erdhën në mbështetje të Kombëtares zvicerane na kanë thirrur dhe kanë deklaruar se po kërkojnë hotelin e tyre”, citohet të ketë thënë policia lokale, transmeton tutje albinfo.ch.
Një përkthyes nga policia, atyre më pas u tha se kishin grumbulluar emrat e të gjitha vendeve dhe kanë konstatuar se hoteli i tyre gjendej 1.281 kilometra larg Rostov Veliki. Më në fund, policia ruse atyre iu ka ndihmuar të gjejnë bujtinë të re.
Gjatë të dielës ishte bërë publik lajmi i një grupi tjetër nga kantoni i Bernës, i cili pothuajse ishte futur në zonën e krizës, pasi e kishte ngatërruar rrugën. Navigacioni i tyre iu kishte sugjeruar një rrugë që do t`i dërgonte përmes rajonit të pushtuar të Donetskit. Megjithatë, pesë zviceranët kanë pohuar se asnjëherë nuk kanë qenë në zonën e krizës dhe këtë rajon e kishin devijuar gjerësisht.