Në Prishtinë është mbajtur edicioni i dytë i Forumit ndërkombëtar bashkimi i tregut në sektorin energjetik mes Shqipërisë dhe Kosovës me temën “Roli i krijimit të shkëmbimit të përbashkët të energjisë në këtë proces”.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka deklaruar se mosimplementimi i marrëveshjes së interkoneksionit me Serbinë është problemi kryesor që Kosova dhe Shqipëria nuk do të mund të liberalizojnë tregun e energjisë.
Forumi ishte i përqendruar në sfidat e themelimit të shkëmbimit të energjisë elektrike në përputhje me zbatimin e politikës shqiptare të energjisë me standardet e Bashkimit Evropian dhe integrimin në tregun rajonal.
Gjergj Buxhuku nga AlbKonfindustria ka thënë se krijimi i tregut të përbashkët dhe liberalizimi i energjisë janë procese të cilat i kanë pranuar të dy vendet për anëtarësim në BE.
Zv. ministrja e Energjisë dhe Industrisë e Shqipërisë, Dorina Cinari, ka thënë se Ministria përkatëse e Shqipërisë ka marrë angazhime serioze në rritjen e kapaciteteve gjeneruese. Ajo tha se Shqipëria është optimiste për të krijuar tregun e përbashkët energjetik me Kosovën.